Teksa është ndalur në rajonin nr. 6 të bashkisë së Durrësit, kandidati për deputet, Lefter Koka, ka vlerësuar rolin e  rëndësishëm që ka luajtur migrimi i brendshëm për zhvillimin e zonave urbane.

Duke sjellë në vëmendje kohën si ish kryebashkiak i Durrësit, Koka ka përmendur dhe punën e bërë nga ana e tij për të zhvilluar më tej Rajonin e ish Kënetës, që tashmë njihet si Durrësi i Ri. 

“Jam i lindur dhe rritur në këtë qytet dhe për shkak të punës si ish kryetar bashkie, kam njohjen e nevojshme dhe për këtë zonë të Durrësit të Ri, e cila me të vërtetë, ka gjetur dhe unë kam qenë promotor, për të nxitur bashkëjetesën e  familjeve të ardhura nga qytete të ndryshme të vendit, që kanë besuar të ndërtojnë jetën e fëmijëve të tyre në qytetin tonë. Kam kërkuar me insistim në këshill bashkiak që të krijohej rajoni në këtë zonë dhe e realizuam. Kam kërkuar të spostoheshin aktivitetet tregtare pranë kësaj zone, për të çuar zhvillim, punësim dhe ai treg që është sot, bashkë me aksin rrugor që ju afruan zonës, i dhanë tjetër hov zhvillimi.”, ka pohuar Koka. 

Koka ka ftuar qytetarët që të votojnë Partinë Socialiste për të vijuar punët e nisura përgjatë këtyre viteve qeverisje: “Partia Socialiste ka mundur t’i formalizojë disa sektorë të cilët kanë nevojë të konsolidohen. Unë dëshiroj shumë që së bashku me kryeministrin Rama, i cili do të jetë deputet në Qarkun e Durrësit, falë eksperiencave që kemi si dy ish kryebashkiakë, të mundemi të ndryshojmë disa gjëra të cilat tashmë unë i kam prekur dhe i kam shumë të qarta”.