Mbrëmja e së premtes rezervon një përballje emocionuese për futbollin shqiptar dhe në veçanti atë kryeqytetas me ndeshjen mes Partizanit dhe Tiranës, një derbi që prodhon spektakël por zakonisht edhe tension. Për të evituar situata të papëlqyeshme që në të kaluarën kanë qenë prezente, policia ka bërë të ditur se do të shtojë prezencën e forcave të rendit si dhe do të bllokojë disa rrugë.
Si zakonisht, në stadium nuk do te lejohen të futen bidonë uji, çakmakë, monedha, çelësa metalikë dhe sende të tjera të forta, ndërsa do të ketë kontrolle të shtuara. Janë bllokuar rrugët pranë stadiumit “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Papa Gjon Pali II” dhe rruga “Lekë Dukagjini” në segmentin hyrës të sheshit “Italia”.
Gjithashtu, do të ketë kufizime dhe bllokime nga ora 15:00 deri në orën 17:30 në rrugën “Dritan Hoxha” nga Pallati i Sportit “Asllan Rusi”-sheshi “Karl Topia” – rruga “Muhamet Gjollesha” deri në kryqëzim me rrugën “Myslym Shyri” si dhe një pjesë të “Myslym Shyrit” dhe Rrugës së Durrësit.
Policia ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e bizneseve që operojnë pranë stadiumit kombëtar që të mbyllen te gjitha lokalet përreth impiantit “Qemal Stafa”. Këto masa merren për të evituar trazira mes tifozëve bardheblu dhe atyre të “demave të kuq”, që kanë qenë evidente në të kaluarën.