Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë ka organizuar sot një aksion në shenjë proteste kundër vendimit të Serbisë për të kthyer mbrapsht librat shqip që ishin dërguar nga Kosova për nxënësit shqiptarë në Preshevë. Në një njoftim për mediat, kjo lëvizje njofton se aktivistë të saj përmbysën një kamion me produkte të Serbisë që shiten në Kosovë. "Ky aksion është përgjigje ndaj aktit kriminal të Republikës së Serbisë, e cila dje i ktheu pas mbi 103 000 libra shqip, duke lënë pa shkollë nxënësit shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit," – thuhet në komunikatë. Levizja Vetëvendosje thotë se do t'i vazhdojë aksionet derisa Republika e Serbisë të pranojë reciprocitet me Republikën e Kosovës.
Vendi ku është përmbysur kamioni është fshati Lupç i Ulët, mes Podujevës dhe Prishtinës. Kamioni vinte nga Merdara, pika kufitare me Serbinë.