Është ndarë nga jeta, në moshën 59-vjeçare, Ilir Hoti, deri para pak javësh në detyrën e dekanit të Fakultetit të Biznesit të universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, ndërkohë që ka qenë edhe guvernatori i parë i Bankës së Shqipërisë. Mësohet se Hoti vuante nga një sëmundje e rëndë, betejën me të cilën e humbi mbrëmjen e djeshme.
Ilir Hoti u lind më 10 maj 1957 dhe studimet e larta i përfundoi në fushën e kontabilitetit pranë Universitetit Bujqësor, në Kamëz. Më pas, u kthye dhe filloi punë në Durrës, fillimisht pranë Bankës Bujqësore dhe më pas pranë Bankës Ndërkombëtare Tregtare.
Në fillim të viteve ’90, Ilir Hoti, duke ndjekur disa kurse kualifikimi pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, u bë specialisti kryesor i ndërtimit të sistemit bankar shqiptar në ekonominë e tregut të lirë. Teksa drejtonte Bankën e Shtetit në atë periudhë tranzicioni, ai drejtoi edhe themelimin e bankave të para në vend, ndërkohë që ishte në qendër të vendosjes së marrëdhënieve me bankat e huaja tregtare. Në periudhën maj 1992 – shtator 1993, Ilir Hoti ishte guvernatori i Bankës së Shqipërisë, duke patur fatin të jetë guvernatori i parë i saj.
Për disa vite, Ilir Hoti punon në Turqi, krysisht në rolin e konsulentit pranë institucioneve financiare. Prej vitit 2000, ai ka qenë vazhdimisht i angazhuar edhe në Kosovë, duke dhënë konsulencën e tij pranë institucioneve të reja për ndërtimin e një sistemi financiar modern në ndihmë të ekonomië së re të vendit.
Në Shqipëri ai angazhohet pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për licensimin e agjentëve të tregtimit të aksioneve dhe letrave të tjera me vlerë. Si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, Ilir Hoti, tashmë edhe me titullin "profesor i asociuar", vazhdoi të jetë i atashuar pranë institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë, duke dhënë mësim në disa disiplina, si: menaxhim bankar, menaxhim risku, menaxhim i shoqërive të sigurimit, etj. Në këto fusha, Ilir Hoti është edhe autor i një numri librash, në shqip dhe anglisht, si: Industria e Sigurimeve dhe Menaxhimi i Rrezikut (Tiranë, 2008), Drejtimi Financiar (Tiranë, 2009), Ekonomika e Parasë, Bankës dhe e Tregjeve Financiare (Tiranë, 2013), Handbook of Financial Administration & Financial Management (Tiranë, 2013), Fjalor Enciklopedik Anglisht-Italisht-Shqip për Bankën, Biznesin, Bursën, Ekonominë (Tiranë, 2014).
Prej katër vitesh, Ilir Hoti drejtoi Fakultetin e Biznesit të Universitetit të Durrësit, duke vënë eksperiencën dhe njohuritë e tij në shërbim të studentëve.
Ilir Hoti do të përcillet për në banesën e tij të fundit, sot në orën 14:00.
N. H.





