Bashkësia e Komunave Serbe në Kosovë mund te krijojë edhe një komunë të re me shumicë serbe, të njëmbëdhjetën me radhë. Nenad Rashic, deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar bisedime lidhur me këtë çështje. Në këtë kontekst, katër fshatrat: Prilluzhë, Plemetin, Babin Most dhe Gracë, do të mund të formojnë komunën e re. Këto fshatra aktualisht i takojnë Komunës së Vushtrrisë dhe Komunës së Obiliqit. Megjithatë, Rashic mohon se një gjë e tillë ka qenë kusht nga Lista Serbe për të dhënë mbështetjen e deputetëve të saj për zgjedhjen e Hashim Thaçit president i ri i Kosovës.
"Ditëve të fundit kemi intensifikuar disa kontakte dhe për shkak të një nisme të vendosur dhe të pjekur, kemi arritur deri aty që kjo nismë mund të jetë e realizueshme. Sipas procedurës, kjo fillimisht duhet të miratohet në qeveri si propozim e më pas edhe në Kuvend. Mendoj se kjo nuk do të duhej të paraqiste ndonjë problem, për shkak se fuqia politike nuk do të ndryshonte e as interesat e shumicës shqiptare nuk do të cenoheshin," – ka theksuar Rashic.
Ndërkohë, një nga njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, Rangjel Nojkic, vlerëson se në rast që zgjedhja e Thaçit ka kaluar pa ndonjë kusht apo marrëveshje, atëherë Lista Serbe ka probleme të mëdha dhe do të ndëshkohet nga votuesit e saj. "Do të ishte krejtësisht e papranueshme në rast se nuk janë marrë vesh dhe që pa ndonjë kusht kanë marrë pjesë në zgjedhjen e tij. Ajo komunë e re nuk është asgjë e re, sepse është nismë e mëhershme. Por, nëse ndodh, gjithsesi që është hap pozitiv. Prandaj, për këtë shkak, mendoj që serbët është dashur të kenë kushte mjaft të qarta dhe ato në fund t’ua dëshmojnë votuesve, gjegjësisht, popullit të vet, që ai ta dije se cilat janë kushtet dhe pse u është dashur t’i japin voten e tyre Hashim Thaçit," – ka theksuar Nojkic.