Gjykata e Apelit Shkodër ka lënë në fuqi vendimin burg të përjetshëm për Sokol Mjacajn, i shpallur fajtor për vrasjen e dy turistëve çekë Michael Svatos dhe Anna Kosinova. Avokatja mbrojtëse e Mjacajt tha se vendimi nuk është i paanshëm, pasi nuk mori parasysh gjykimin e shkurtuar dhe pranimin e akuzës.
I qetë dhe madje duke buzëqeshur here pas here, Mjacaj priti këtë vendim, ndërsa nuk foli në seancën gjyqësore, duke lënë avokaten mbrojtëse, Elvira Jakova, të shprehte pretendimet për dënimin e klientit të saj. Sipas palës mbrojtëse, vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk ka qenë i paanshëm, pasi nuk është marrë parasysh gjykimi i shkurtuar, ndonëse Mjacaj pranoi krimin. Gjithashtu ajo shtoi se nuk është marrë parasysh kërkesa për ekzaminimin e gjendjes psikike, duke ju referuar fëmijërisë së 20 vjeçarit, gjendjes ekonomike, dënimin e mëparshëm etj.
Për këto arsye, mbrojtja kërkoi rikthimin e çështjes për rigjykim. Por, pretendimet e avokates se Mjacaj nuk kanë ndryshuar qëndrimin e organit të akuzës, që i ka qëndruar kërkesës për lënie në fuqi të vendimit të shkallës së parë, atë të burgimit përjetë. Në fund, relatorja e çështjes Valbona Vata la në fuqi vendimin e burgimit përjetë.
Menjëherë në daljen për mediat avokatja e Mjacaj e cilësoi proçesin të paragjykuar dhe tha se do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë, e madje deri në Strasburg.





