Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni është ndalur paraditen e sotme në bashkinë e Shijakut, ku prezantoi planin e përgjithshëm vendor, dhe inspektoi investimin për qendrën e qytetit me vlerë 90 milionë lekë të rinj.
Ministrja tha se punimet për rivitalizimin e qendrës së Shijakut nuk janë kryer me cilësinë e duhur, dhe për këtë i është kërkuar sërish firmës zbatuese të projektit të ndërhyjë për përfundimin tyre.
“Do t’u jap mesazh drejtuesve të njësive vendore të ndjekin me vëmendje maksimale dhe të kryhen me cilësi e të respektohen kriteret e punimeve në projektet që po financohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të rajoneve”, deklaroi Gjermeni.
Po kështu, ministrja prezantoi planin e përgjithshëm vendor të Shijakut. “Bashkia e Shijakut po mbështetet me asistencë teknike nga qeveria për hartimin e planit vendor, i cili do u hapë rrugë investime të tjera”, tha Gjermeni,
Ardian Kokomani, kreu i bashkisë së Shiajkut, vlerësoi planin rregullues si certifikatën e çeljes së investimeve për këtë bashki të re.
K.H.





