Komisioni i Venecias i ka dhënë përgjigje disa prej pikave ku ndahet mazhoranca dhe opozita mbi ndryshimet kushtetuese për reformën në sistemin e drejtësisë. Pika kryesore, ku palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët, ka të bëjnë me zgjedhjen me 84 ose 93 vota në Kuvend per anëtarët e institucioneve te drejtësisë. Partia Socialiste, deri para publikimit të opinionit final të Komisionit të Venecias, ka mbrojtur idenë për zgjedhjen me tre te pestat e votave të te gjithe deputeteve, ndërkohë që demokratët në opozitë kanë theksuar se nevojitet një zgjedhje me dy te tretat e votave, që shkon drejt konsensusit politik. Këtu bëhet fjalë për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Këshillit të Lartë Gjyqësor, etj.
Komisioni i Venecias, në opinionin e saj, thotë se kompozimi pluralist i institucioneve mund të arrihet me mjete të tjera, jo domosdoshmërisht duke vendosur një prag të lartë votimi. Në këtë opinion thuhet se nje model tjetër i zgjedhjes konsiston në krijimin e dy listave alternative të kandidateve, një nga koalicioni qeverisës dhe një nga opozita. Këshilli i Emërimeve, thuhet në opinion, do të bëjë renditjen e kandidatëve dhe do t’i dërgojë parlamentit të dy listat, nga të cilat do të përzgjidhen tre nga lista e mazhorances dhe dy nga lista e opozitës, në të dyja rastet me tre te pestat e votave.
Një ditë pas publikimit të opinionit, asnjë zyrtar nga Partia Demokratike dhe as nga Partia Socialiste nuk kanë dashur ta komentojnë atë.





