Përmbaruesi gjyqësor i ka dorëzuar vendimin për të dalë nga shtëpia familjes që kishte 30 vjet që banonte aty. Familja banon në një shtëpi, në lagjen 9 të Durrësit, e cila i është njohur pronarit të ligjshëm, dhe tashmë ajo është detyruar ta lirojë atë.

Shpresa Baballiku, një grua mbi 50-vjeçare, asnjëherë nuk e kishte menduar që në këtë moshë do t’i kërkohej të dilte nga shtëpia, për të cilën ka investuar çdo qindarkë. “Në këtë banesë kam rritur të pesë fëmijët e mi. Kjo shtëpi ka dokumente shteti, shteti ka qënë pronar i saj, dhe konkretisht ndërrmarrja e Ujësjellësit. Ne, si të gjithë, kërkuam privatizimin e banesës sonë. Gjashtë banesa u privatizuan dhe gjashtë jo. Se si e qysh e tek e ka fituar Komuniteti Mysliman i Shqipërisë banesën time në gjyq vetëm një Zot e di. Unë e vdekur dal nga kjo shtëpi, se e gjallë kurrë nuk do të dal. Kur na strehoi ish-komiteti, 30 vjet më parë, më dhanë vetëm një dhomë. Ne me kohë e kemi shtuar shtëpine dhe e bëmë të banueshme, dhe tani duan të na përzënë. Nga hulumtimi që kam bërë ka dalë që trualli ka pronar shetin dhe jo KMSH. Kush do të na ndihmojë, përpara se sa makineria e korruptuar e shtetit dhe gjykatave të na shtypë?” – thotë gruaja.