Qeveria ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike lidhur me ligjin “Për lejet mjedisore”. PD, nëpërmjet kreut të Departamentit të Mjedisit, Jamarbër Malltezi, pretendon se qeveria shqiptare ka dalë kundër direktivave të Bashkimit Evropian mbi lejet mjedisore. Sipas përfaqësuesit të PD, ligji “Për lejet e mjedisit”, i hartuar sipas kërkesave të BE, përjashtoi nga detyrimi për leje mjedisore rreth 70% të aktiviteteve ekonomike në vend.
Por, qeveria sqaron përmes portalit Transparenca.al se direktiva e BE për ndotjen industriale, e cila përcakton që vetëm aktivitetet me ndikim të madh në mjedis duhet të pajisen me leje mjedisi, pra me leje te tipit A, është e traspozuar në legjislacionin shqiptar 100%, me anë të shtojcës 1 të ligjit “Për lejet e mjedisit”. Për sa u përket instalimeve industriale që kanë kapacitet më të ulët se aktivitetet që klasifikohen me leje të tipit A, në sqarimin e qeverisë thuhet se direktiva u njeh të drejtën vendeve anëtare të përcaktojnë mënyrën e licencimit dhe monitorimit të këtyre aktiviteteve. Në vendin tonë kjo është zgjidhur nëpërmjet lejeve te tipit B dhe C. “Pavarësisht se direktiva nuk i rregullon me nivele të gjitha aktivitetet, asnjë vend i Bashkimit Evropian nuk lejon asnjë aktivitet me ndikim sado minimal në mjedis, që të mos pajiset me dokumentacionin mjedisor përkatës, si dhe të kenë për detyrë vetëmonitorimin e vazhdueshëm të emetimeve të ndryshme në ajër, ujë dhe tokë. Madje edhe praktika e dhënies së këtyre lejeve është e njëjtë me vendet e BE, pasi në vendin tonë janë Agjencitë Rajonale të Mjedisit të cilat lëshojnë lejet e tipit C, ashtu siç në vendet e BE janë autoritetet lokale ose rajonale që japin miratimin për ushtrimin e këtyre aktiviteteve.” – bën të ditur qeveria.





