Lirohen direkt nga salla e gjyqit në gjykatën e Durrësit, dy prej tre të pandehurve që u arrestuan dy ditë më parë në portin e Durrësit të akuzuar për kontrabandë cigaresh, Ilir Dengu, shoferi 53-vjeçar nga Tirana, bashkë me Gjuljen Samin, 52-vjeçaren nga Maqedonia.
Gjykatësja ka dhënë masën e sigurisë detyrim paraqitjeje 2 herë në muaj.
Ndërkaq, masa e sigurisë për të arrestuarin e tretë, Irfan Ametin, 46-vjeçarin nga Maqedonia që është dhe vëllai i Gjuljen Samit, është shtyrë për ditën e nesërme në orën 10:00.
Irfan Ahmeti e deklaroi veten të pafajshëm para togave të zeza dhe ka kërkuar lirimin e tij kundrejt garancisë së pasurisë, duke paguar një shumë prej 10 mijë eurosh. Por familjarët e Ahmetit nuk kishin mundur dot që të depozitonin në bankë shumën e caktuar dhe për shkak të mungesës së akt-pagesës, seanca u shty për të nesërmen.
Tre të pandehurit u arrestuan dy ditë më parë nga policia e Durrësit pasi “Në bazë të informacioneve të marra nga shërbimet homologe të huaja u ushtrua kontroll në kamionin me targa AA 679 KU dhe me trailer TR 0349 R, me drejtues shtetasin Ilir Dengu, ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale rreth 550 000 paketa të markës “Merhaba”, me vlerë në tregun e lirë 154 000 000 lekë të rinj dhe kamioni me targa AA 679 KU”.
Sipas policisë, malli i sekuestruar ishte ngarkuar në Mal të Zi dhe nuk kishte dokumentacionin e rregullt dhe destinacion të përcaktuar.





