Para një ndeshjeje shumë të rëndësishme, siç është transferta e Tiranës, trajneri Magani shpreson në rikthimin e disa prej lojtarëve, të cilët kanë munguar ndaj Tërbunit, por edhe më parë. Në ndeshjen e fundit munguan Çyrbja, Musta, Hyseni për arsye shëndetësore ndërsa infermierisë i është shtuar dhe Artur Magani por dhe mesfushori elbasanas Hila. Musta me shumë mundësi do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës, por trajneri Magani shpreson që edhe lojtarë të tjerë të rëndësishëm për Teutën të riaftësohen në kohë, pasi Tirana vlen shumë për vazhdimësinë.
Fatmirësisht nuk janë dëmtime me probleme serioze për nga ana fizike dhe futbollistët mund të bashkohen shpejt me skuadrën. I sigurt që do të mungojë për këtë sfidë është Hila i cili nuk i është bashkuar grupit por dhe Hyseni që ka probleme me mesin, gjë që e mban larg sfidës me Tiranën. Një kalendar i vështirë për “djemtë e detit” ku do të përballen me Tiranën në fundjavë, ku skuadra kryeqytetase vjen pas humbjes me Skënderbeun dhe do të tentojë që të marrë maksimumin duke mos i lejuar djemtë e Maganit që t’i parakalojnë në renditje. Më pas rikthehen në shtëpi kundër ekipit të Bylis, i cili ka treguar se nuk shikon në cilën fushë luan, ku vetëm disa ditë më parë arritën të fitonin në një fushë ku shumë kundërshtarë kanë dështuar, atë të Laçit. Më pas i pret ekipi kampion si dhe kryesuesit e tabelës Skënderbeu i Korçës.