Tre markat e çokollatave Snickers, Mars, Milky Way nuk do të hiqen nga tregu shqiptar. Pas afatit të lënë distributorëve për tërheqjen e tyre nga tregu, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vjen me një urdhër të dytë pas inspektimit në terren, sipas të cilin çokollatat që shiten në Shqipëri prodhohen në Poloni dhe nuk kanë lidhje me ato të Holandës. Si të tilla ato do të vijojnë të shiten në treg.

“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore, ka vlerësuar maksimalisht lajmet e mediave ndërkombëtare e më pas edhe atyre shqiptare, duke marrë masa të menjëhershme në lidhje me tri markat e çokollatave, Snickers, Mars, Milky Way, të prodhuara në Holandë. Megjithëse u nxor një urdhër për bllokimin e të gjitha çokollatave të këtyre markave që kishin datën e skandencës 19.06.2016, deri më 08.01.2017, situata ndryshoi pas verifikimeve konkrete në terren dhe pranë kompanisë, distributor zyrtar i këtyre produkteve, duke bërë që të dalë një urdhër tjetër pune, i cili rrëzonte të parin,” – sqaron AKU.

AKU thotë se brenda kater orëve, nga ora 08:00 deri në orën 12:00, u bë verifikimi në terren, nga të gjitha drejtoritë rajonale të AKU në qarqe, si dhe pranë kompanië importuese të këtyre produkteve në Shqipëri. Nga verifikimet e bëra prej inspektorëve të AKU pranë kompanisë distributore Interbrands sha, rezultoi se të tri produktet në fjalë nuk kanë lidhje me çokollatat e rezultuara me probleme në Holandë, pasi Snickers, Mars, Milky Way që importohen në Shqipëri nga kjo kompani prodhohen në Poloni. Kjo u vërtetua edhe nga një shkresë zyrtare ardhur kompanisë shqiptare prej prodhuesit amë të këtyre produkteve, ku thuhet se Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Serbia nuk janë të rrezikuara nga këto produkte, pasi sasitë që tregtohen në këto vende, janë të prodhuara në Poloni dhe jo Holandë.

Në një dalje për mediat, drejtori i përgjithshëm i AKU, Isuf Shehu, deklaroi se “në momentin që ne po bëjmë këtë deklaratë për shtyp, ne kryem verifikimet e duhura pranë distributorit kryesor … dhe rezultoi që nuk kishte asnjë lloj sasie të asaj që mediat ndërkombëtare kanë diskutuar apo kanë përhapur si lajm.”