Autori i dopietës, Bruno Dita, është i lumtur që ka arritur t’i japë tri pikë të arta skuadrës. Dita deklaroi ndër të tjera se takimi i fundit i dha një mësim për vazhdimësinë në kampionat. “Morëm tri pikë dhe jam i gëzuar që isha autor i dy golave. Treguam se jemi një grup lojtarësh që nuk lodhemi dhe luftojmë deri në fund. Arritëm t’ia dilnim vetëm në shtesë dhe kjo duhet të na bëhet mësim, pasi duhet t’i zgjidhim më shpejt ndeshjet. Për mua ishte një ndër golat më emocionues që kam shënuar, pasi erdhi në frymën e fundit të ndeshjes.
Tani duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës, pasi ajo me Tërbunin iku. Luajmë kundër Tiranës, një skuadër me emër të madh dhe lojtarë cilësorë. Megjithatë, frikë nuk e kemi, sepse synimi ynë në çdo ndeshje janë tri pikët, si brenda ashtu edhe jashtë fushe.
Teuta është një skuadër me lojtarë cilësorë dhe këtë gjë duhet ta tregojë me Tiranën. Gjithmonë në kryeqytet kemi luajtur jashtëzakonisht mirë, por nuk kemi dalë nga fusha me atë rezultat që do të dëshironim. Tashmë duhet të përqendrohemi më shumë te rezultati, sesa te loja e bukur, sepse na interesojnë pikët. Pra, do të bëjmë gjithçka për të marrë një rezultat pozitiv në Tiranë”, përfundoi mesfushori titullar i Teutës, i cili ka arritur të shënojë pesë gola, po aq sa Artur Magani.