Flamurtari – Teuta, ndeshja e janarit të kaluar, vijon të jetë ende nën hetim dhe së fundmi UEFA ka dërguar informacione të tjera nga disa kompani të huaja bastesh.
Kryeprokurori i Vlorës Ramadan Troci, tregon se kanë mbërritur informacione të rëndësishme, e pas shqyrtimit të tyre pritet të shihet nëse përballja e fituar nga vlonjatët 2-1 ndaj durrsakëve është e trukuar apo jo.
“Për ndeshjen Flamurtari – Teuta, e cila është në hetim, mund t’ju konfirmoj se ka mbërritur informacion nga kompanitë e basteve nga jashtë vendit. Materiali është duke u përkthyer në Ministrinë e Drejtësisë, pasi është në gjuhë të huaj. Them se këto fakte që ne kemi, janë të rëndësishme për hetimin dhe ato do të përcaktojnë përfundimisht nëse kemi të bëjmë ose jo me trukim të ndeshjes. Pra, informacioni që ka mbërritur tregon nëse kjo ndeshje është hedhur në baste. Nuk mund të flasim tani nëse ka qenë apo jo e trukuar, përderisa nuk kemi nisur ende shqyrtimin e informacionit të mbërritur. Ajo që mund të them me siguri është se pas shqyrtimit të këtyre provave, ne do të dalim me qëndrim zyrtar”, ka deklaruar prokurori Ramadan Troci.