Partia Demokratike kallëzoi sot penalisht kryetarin e Bashkisë së Tiranës, për ndërtimin e paligjshëm brenda Parkut të Liqenit të Tiranës.
Sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Ervin Salianji, depozitoi në prokurori kallëzimin penal ndaj Veliajt, për shpërdorim detyre dhe ndërtim të paligjshëm.
“Dje qytetarët e Tiranës në dy aksione të ndryshme e kanë shkatërruar dhe e kanë hedhur poshtë ndërtimin e paligjshëm që kërkon të bëjë kryetari i Bashkisë së Tiranës Veliaj në një zonë të mbrojtur, në një zonë e cila është kategorikisht e mbrojtur me ligj nga ndërhyrjet, siç është Parku i liqenit të Tiranës. Siç e dini, ndërhyrja aty bëhet për interesa të pastra korruptive dhe klienteliste të kryebashkiakut të Tiranës i cili me pretekstin që kërkon të ndërtojë park lojërash për fëmijët, do bëjë edhe një lokal për klientët e vet e më pas do t’i ndryshojë destinacionin parkut të Tiranës që të ketë mundësi të ndërtojë ashtu siç ka miratuar edhe planin për hyrjen e parkut që të ndërtojë në të pallate shumëkatëshe”, tha para gazetarëve Salianji.
Gjithashtu, ai paralajmëroi aksion të fuqishëm qytetar, nëse Veliaj nuk heq dorë nga ky ndërtim i paligjshëm.





