Ka nisur në Gjykatën e Posaçme seanca e radhës e gjykimit në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe personave të tjerë të pandehur në këtë proces, një seancë e shënuar nga mungesa të bujshme dhe përplasje ligjore mes palëve.

Mësohet se, kryebashkiaku Veliaj nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit, duke vijuar bojkotin dhe refuzimin e tij për të marrë pjesë për sa kohë që i mohohet kërkesa për të mos qëndruar në kafazin e sallës së gjyqit gjatë procesit. Në sallë kanë qenë të pranishëm dy prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Ols Dado, por kanë munguar të gjithë të pandehurit e tjerë.

Mungesë është regjistruar edhe nga ana e mbrojtjes, pasi avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, ka depozituar kërkesë për shtyrjen e seancës. Ai ka argumentuar pamundësinë objektive për të marrë pjesë, për shkak se ndodhej në një tjetër çështje në Gjykatën Civile të Tiranës lidhur me procesin ndaj Arbjan Maznikut.

Në seancën e sotme nuk është paraqitur as bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, e cila kishte kërkuar pezullimin e procesit me dy muaj duke paraqitur një raport mjekësor pas lindjes. Megjithatë, kërkesa e saj është rrëzuar nga GJKKO.

Xoxa është përfaqësuar në proces nga avokatët e saj, Gurali Brahimllari dhe Maksim Haxhia, të cilët kanë theksuar se pas lindjes me operacion ajo nuk është në gjendje të ushtrojë në mënyrë efektive të drejtat e saj ligjore.

“Zonja Xoxa ka bërë konsultën tek mjeku, i cili ka konstatuar se ajo vazhdon të jetë në të njëjtën gjendje, duke e pasur të pamundur të bëjë mbrojtjen në këtë proces,” deklaroi mbrojtja.
Nga ana e saj, Prokuroria e Posaçme ka kundërshtuar ashpër kërkesën për pezullim, duke argumentuar se ligji parashikon vetëm shtyrje të seancës dhe jo pezullim të procesit, si dhe ka vënë në dukje se Xoxa nuk është paraqitur fizikisht asnjëherë në gjyq.

Në përfundim të veprimeve paraprake, GJKKO ka vendosur gjithashtu pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn, ndërsa procesi ka vijuar mes mungesave dhe kërkesave të reja procedurale nga palët.