Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Viola Kapidani Kullolli, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit që lidhen me ish-drejtoreshën e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kapidani Kullolli shprehet se rasti i Postës në Durrës është dëshmi e mënyrës se si trajtohen fondet publike nga qeveria.
Sipas saj, ndërsa pensionistët përballen me vështirësi ekonomike, fondet publike përfundojnë në qendër të skandaleve, duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim dhe mungesë përgjegjësie.
Kapidani Kullolli thekson se ky nuk është thjesht një rast individual, por pasqyrë e një modeli qeverisjeje.
Postimi i plotë:
Filozofia e trajtimit të pasurisë publike si pronë private shfaqet cdo herë e më shumë në qeverisjen e Edi Ramës. Rasti i fundit me drejtoreshën e Postës Shqiptare Durrës është dëshmia më e qartë se deri ku ka degraduar ky model qeverisjeje.
Ndërkohë që pensionistët presin ditën e pensionit dhe llogarisin nëse u dalin paratë për një bukë e një shishe qumësht në ditë, fondet publike, sipas akuzave të ngritura nga organet e drejtësisë, dyshohet se janë trajtuar si pronë private, madje deri në pikën që të përdoreshin si “çipa kazinoje”. Nuk ka simbol më të rëndë se ky për të dëshmuar degradimin e kësaj qeverije dhe hallkave të shtetit.
Rilindasit duket se jetojnë me bindjen dhe filozofinë se deti është bërë kos dhe se paratë e shqiptarëve mund të përvetësohen pa asnjë kufi e pa asnjë pasojë. Në vend që çdo qindarkë e taksave të përdoret për pensione më dinjitoze, për shëndetësi, arsim dhe mirëqenien e shqiptarëve, ato përfundojnë në qendër të skandaleve që tronditin opinionin publik.
Ky nuk është më thjesht një rast individual. Është pasqyra e një shteti që ka humbur sensin e përgjegjësisë, ku emërimet politike dhe arroganca e pushtetit kanë zëvendësuar meritën, integritetin dhe shërbimin ndaj qytetarëve.
Kur fondet publike trajtohen si plaçkë personale, ndërsa pensionistët vazhdojnë të mbijetojnë me pensione qesharake, është e qartë se problemi nuk është vetëm te individët. Problemi është te filozofia e një qeverie që e ka humbur çdo lidhje me hallet e njerëzve.





