Nga dy gola për pjesë dhe barazim 2-2 në Zeqir Ymeri mes Kukësit dhe Teutës, rezultat që padyshim i shkon më për shtat skuadrës së Gugash Maganit që merr pikë në një transfertë të vështirë, ndërsa verilindorët marrin një tjetër zhgënjim pas disfatës me Skënderbeun dhe janë tashmë 7 pikë larg vendit të tretë që siguron objektivin Europë.Nuk kishte asnjë shenjë nga bora e një dite më parë në Zeqir Ymeri, ku Kukësi prezantohej nga Duro me Mario Morinen titullar përpara, përkrah goleadorit të gjetur Izair Emini, ndërsa Magani hidhte përpara brazilianin Jonathan përkrah Magani Junior.
Nisje në malore për Kukësin me Teutën na avantazh që në minutën e 4 me Shkallën që i avancuar para për goditjen standard bëri më të mirën me goditjen e tij me kokë. Padyshim i nervozuar Duro që i duhet të ndjekë që nga fillimi por vendasit gjetën shumë shpejt barazimin, në minutën e 14 falë klasit të Izair Eminit, që gjithsesi i duhet të falënderojë edhe Shkallën që këtë herë bëhet protagonist i golin në portën e tij me devijimin që mashtron Kocin.Goli tretë i Izair Eminit, gjithçka rinis nga e para dhe ka një tjetër gol për Kukësin por të anulluar në minutën e 24-t kur topi kalon vijën fatale por gjyqtari ka ndalur më parë lojën për faull të Shametit. Verlindorët mbeten në kërkim të golit dhe krijojnë disa raste të mira.
Në minutën e 40 krosim nga e djathta për Izair Eminin që gjuan pa u menduar dy herë por goditja devijohet jashtë kuadratit. Në goditjen e këndit menjëherë më pas është Shameti që stampon me kokë topin në tranversën që shpëton këtë herë Teutën. Provon në të 44 edhe Mario Morina por përgjigjet gati Shpëtim Mocka.
Në minutën e 44-t Teuta proteston për një 11 metërsh në ndërhyrjen e Malotës ndaj Jonathan por arbitri nuk i jep të drejtë pretendimeve të miqve dhe pjesa e parë mbyllet me goditjen e Birnguetës sipas traversës në të 47-n dhe skuadrat shkojnë në barazim në pushim nga ku kthehet një Teutë më agresive. Hoxha tenton që në fillim nga distanca me Kocin që reagon mirë duke neutralizuar rrezikun, ndërsa në minutën e 57 është Jonathan që avancon në zonë i shpëton markimit dhe godet në diagonale me portierin e Kukësit që përgjigjet këtë herë me këmbë.
Ndeshja vijon intensive me të dyja skuadrat që krijojnë rastet e tyre me Kukësin që insiston më tepër përpara dhe shpërblehet në minutën e 74 kur në krosimin e Dvornekovic që nuk zotërohet nga Mocka, Flores gjen mënyrën për të çuar topin drejt rrjetës. Tifozët në delir në Zeqir Ymeri por nuk është e thënë që Kukësi të administrojë avantazhin në 15 minutat e mbetura, pasi Koci gabon në një goditje këndi të Teutës duke çuar me duart e tij topin drejt rrjetës.
Barazim 2-2, 3 minuta para fundit të kohës së rregullt, që nuk mjaftojnë për të ndryshuar rezultatin ashtu si dhe shtesa e shoqëruar nga momente tensioni ta panevojshëm mes lojtarëve dhe një çadër të hedhur nga tribuna që mund t’i kushtojë Kukësit, me Teutën që në fund largohet me një pikë të vyer, ndërsa skuadra e Duros që humbet rastin për t’u rikthyer te fitorja pas disfatës me Skënderbeun dhe shikon t’i largohet vendin e tretë dhe dritaren europiane.