Nga një suprizë në një realitet të bukur të futbollit shqiptar. Teuta e Gugash Maganit, javë pas jave po tregon se e ka potencialin për të rivalizuar fuqishëm me skuadra si Tirana apo Kukësi për një vend në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm.
33 pikë të grumbulluara në kampionat pas 20 ndeshjeve të para dhe kualifikimi në cerekfinalet e Kupës së Shqipërisë janë një sinjal mëse i qartë i forcës që zotërojnë Djemtë e Detit. Për një skuadër që përbëhet në masë nga lojtarë të rinj në moshë ecuria e deritanishme mund të konsiderohet me të vërtetë pozitive.
Megjithatë për të kuptuar nëse Teuta i ka vërtetë mundësitë për tu kualifikuar në Europa League, do të vihet re më qartë pas 2 ndeshjeve të radhës ose më saktë pas 2 transfertave që durrsakët do të luajnë në Zeqir Ymeri. Në 5 ditët e ardhshme Djemtë e Detit do të sfidojnë në dy raste Kukësin, një skuadër që ka objektiva të përbashkëta me Teutën.
Takimi i kësaj të Shtune është për kampionat ndërsa të Mërkurën, formacioni i Maganit do të kërkojë të mbrojë fitoren 1-0 të ndeshjes së parë për tu kualifikuar në fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Misioni nuk është i lehtë për Teutën dhe këtë gjë e tregon mësëmiri fakti që skuadra durrsake është mundur në 4 transfertat e fundit që ka zhvilluar në Kukës. Për të gjetur një rezultat pozitiv të Teutës në Zeqir Ymeri duhet të kthehemi pas në kohë pikërisht në sezonin 2012-2013 kur Djemtë e Detit barazonin në dy raste ndaj Kukësit.
Teuta do të luajë gjithҫka për gjithҫka në 5 ditë, por pavarsisht këtyre statistikave jo shumë shpresëdhënëse në Durrës kanë besim te aftësitë e tyre dhe janë të bindur se mund ti përballojnë me sukses dy ndeshjet e radhës ndaj formacionit të Klodian Duros.