Me barazimin 1-1 në fushën e Valencias, në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Mbretit, Barcelona u ngjit në kuotën e 29 ndeshjeve radhazi pa pësuar humbje. Një rekord absolut për klubin. Ecuria e blaugranave me Luis Enriquen në stol, është edhe më e mirë se periudha kur skuadra drejtohej nga Pep Guardiola. Me trajnerin e ardhshëm të Manchester City në stol, nga Shtatori 2010 deri më janar 2011, katalanët kishin regjistruar 28 ndeshje pa humbje.

Në sezonin aktual, Barça e rekordeve është mposhtur për herë të fundit nga Sevilla, më 3 Tetor të vitit 2015. Më tepër se katër muaj më parë. Primati ka rëndësi, edhe për mënyrën sesi u vendos. Në barazimin 1-1 në fushën e Valencias, Barcelona që kishte fituar 7-0 në ndeshjen e parë, i lejoi vetes luksin të linte pushim shtatë titullarë.

Në Mestalla blaugranat evidentuan një tjetër talent të Akademisë. 19-vjeçarin Kaptoum, që në minutat e fundit të sfidës barazoi shifrat pas avantazhit të Valencias me Negredo. Barça siguroi finalen e tretë radhazi në Kupën e Mbretit dhe të 38-ën në histori. Një tjetër rekord, për klubin që në këtë sezon ëndërron të fitojë tre trofetë për të dytin vit radhazi.