Teuta i shkaktoi humbjen e parë Kukësit për vitin 2016 në çerekfinalen e vajtjes së Kupës së Shqipërisë, ndërsa pas këtij takimi të “Niko Dovanës”, nënkampionët e Shqipërisë fituan bindshëm me Bylisin në “Zeqir Ymeri”. Një sukses që la të kënaqur trajnerin Klodian Duro më shumë se për rezultatin, për lojën që zhvilluan të besuarit e tij. Mirëpo Një javë më pas u kthye situata e paqëndrueshme me humbjen 3-1 me Skënderbeun, rezultat që u pasua më lëvizje në stafin drejtues, me presidentin Gjici që emëroi drejtor të përgjithshëm politikanin Ekrem Spahia.

Gjithçka ndodhi në prag të dy ndeshjeve të njëpasnjëshme me Teutën, në kuadër të javës së 21-të të Superiores dhe për Kupën e shqipërisë. Dy sfida që për presidencën kuksiane duhen kaluar patjetër në funksion të objektivave sezonale. Gjici mësohet se ia ka bërë të qartë trajnerit Duro se ndaj Djemve të Detit nuk luhet thjesht reputacioni, por edhe e ardhmja e trajnerit. Nëse Kukësi dështon në “Zeqir Ymeri”, duke u larguar edhe më shumë nga zona europiane, apo më e keqja duke u eliminuar nga Kupa, përgjegjësinë duhet ta marrë trajneri. Teuta është një rival direkt në të dy frontet, madje pas javës së 20-të, formacioni i Maganit e zhvendosi në vendin e pestë skuadrën verilindore. Pas sfidës së parë të Kupës, që u mbyll me fitoren minimale të durrsakëve, Duro shprehu bindjen e plotë se skuadra e tij do të kualifikohet në gjysmëfinale, objektiv që duhet ta arrijë fillimisht duke e mposhtur këtë kundërshtar në kampionat. Një mision mëse i arritshëm përballë publikut kukësian, në të kundërt Gjici nuk do ta ketë problem të gjejë një tjetër trajner për pjesën e mbetur të sezonit.