Sa i gjatë do të jetë një person është e përcaktuar në ADN-në e tij që përpara lindjes.
Në dekadat e fundit gjatësia e fëmijëve ka patur rritje, dhe sipas kërkimeve shkencore ata janë të prirur të jenë më shtatlartë se prindërit e tyre.
Tashmë, një studim i ri, ka zbuluar se si gjatësia e njeriut ndikon tek shëndeti i tij.
Studimet e mëparshme kanë treguar se njerëzit e gjatë kanë më pak rrezik që të preken nga sëmundjet kardiovaskulare dhe nga diabeti i tipit 2 sesa njerëzit e shkurtër.
Por nga ana tjetër personat e gjatë janë më të rrezikuar për tu prekur nga kanceri.
Profesor Matthias Schulze, nga Instituti Gjerman i të Ushqyerit të Njeriut, thotë: “ Të dhënat epidemiologjike tregojnë se për çdo 6.5 cm gjatësi, rreziku për të vdekur nga sëmundiet kardiovaskulare ulet me 6 %. Ndërsa vdekja nga kanceri rritet me 4 %.
“Të dhënat e reja tregojnë se njerëzit e gjatë janë më të ndjeshëm ndaj insulinës dhe kanë më pak yndyrna në mëlçi, gjë që shpjegon rrezikun e ulët për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti i tipit 2”- shpjegoi profesor Norbert Stefan.
Sipas studiuesve, aktivizimi i insulinës si faktor në rritje, ndikon tek rritja e rrezikut për t’u prekur nga llojë të ndryshme kanceri, si ai i gjirit , i zorrës së trashë dhe melanoma, duke qenë se rritja e qelizave është aktivizuar në mënyrë të përhershme.