Juventus-i i Allegrit nuk ka ndërmend të ndalet. Kundër Frosinone-s ka ardhur fitorja e 14-të radhazi në kampionatin italian. Lacialët nuk kanë arritur të përsërisin befasinë e fazës së parë, kur kanë dalë nga Torino me një pikë. Megjithatë, bardhezinjtë nuk e kanë pasur shumë të lehtë të siguronin suksesin e radhës, ndërsa goli që ka zhbllokuar takimin është realizuar nga Cuadrado në minutën e 73-të të ndeshjes, ndërsa Dybala ka siguruar fitoren në të 92-ën.
Tri pikë të rëndësishme për kampionët në fuqi të Serisë A, të cilët fundjavën e ardhshme do të presin Napoli-n në shtëpi, me synimin për të rimarrë kreun, që është vetëm dy pikë larg. Ka vuajtur, por në fund Napoli ka arritur të marrë të marrë fitoren e tetë radhazi në kampionat, duke mundur 1-0 Carpi-n dhe duke thyer kështu rekordin e shtatë fitoreve të njëpasnjëshme të vendosur në sezonin 87/88.
Heroi i ndeshjes ka qenë si gjithmonë Gonzalo Higuain, i cili ka regjistruar golin e tij numër 24 në kampionatin italian. Goli që ka vendosur ndeshjen ka ardhur nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 69-të, ndërsa Carpi kishte mbetur me 10 lojtarë. Një fitore kjo shumë e rëndësishme për ekipin Sarri-t, që, fundjavën e ardhshme, do të paraqitet në “Juventus Stadium” me një avantazh prej dy pikësh në renditje kundrejt bardhezinjve.
Milan ka humbur një mundësi të artë për t’ju afruar zonës Champions në kampionat pas barazimit të marrë sot kundër Udinese-s në shtëpi. Kuqezinjtë nuk kanë arritur të përfitojnë nga ndalesat e Fiorentina-s dhe Inter dhe mbeten në vendin e gjashtë në renditje në kuotën e 40 pikëve, gjashtë pikë larg vendit të tretë. Ka qenë Armero, ish-lojtar i Milan ai që ka realizuar në minutën e 17-të për miqtë.
Reagimi i milanistëve ka ardhur në minutën e 48-të kur Donnarumma ka shpëtuar ekipin e Mihajlovic nga goli i dytë, duke i dhënë mundësinë skuadrës të dalë në një kundërsulm të shpejtë, që është finalizuar me një gol të bukur të Niang. Milanezët kanë shkuar shumë afër golit të dytë në minutat e mbetura, por pa e gjetur atë.