Shqipëria ngjit shkallë në renditjen e Fifa-s. Në konfigurimin e fundit të klasifikimit botëror për muajin shkurt Kombëtarja Kuqezi pozicionohet në vendin e 36-të duke ngjitur dy shkallë në krahasim me një muaj më parë. Gjatë kësaj periudhe formacioni i trajnerit Gianni de Biasi nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje, por në ngjitjen e pozicioneve kanë ndikuar lëvizjet e përfaqësueseve të tjera që kanë zbritur shkallë në renditje.

Impenjimi i rradhës për Shqipërinë do të jetë ai në miqësoren e Vjenës në 26 mars kur përballë do të ketë Austrinë, ndërsa Fifa parashikon si datë të lirë për miqësoret edhe 29 marsin, ditë për të cilën ende nuk është zyrtarizuar se kush do të jetë kundërshtari i kuqezinjve. Këto do të jenë dy miqësoret e fundit para grumbullimit të Kombëtares për një minifazë përgatitore para nisjes së Europianit 2016 në Francë ku Shqipëria merr pjesë për herë të parë.

Për sa i përket renditjes së Fifa-s Shqipëria ka arritur pozicionimin më të mirë historik në korrikun e vitit të kaluar kur ngjiti plot 15 vende për tu renditur e 22-ta në botë. Për sa i përket kreut të klasifikimit botëror qëndron gjithcka e pandryshuar me Belgjikën që kryeson, e ndjekur nga Argjentina, Spanja, Gjermania kampione e Botës, Kili dhe më pas Brazili.