Hera e fundit që presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, zbriti në dhomat e zhveshjes në “San Siro” pas një ndeshje ishte më 8 nëntor, Milan-Atalanta 0-0, për të përgëzuar skuadrën mike. Gati 3 muaj më vonë, presidenti kuqezi ka zbritur sërish në dhomat e zhveshjes për të festuar bashkë me skuadrën fitoren e djeshme në derbi, 3-0 ndaj Interit.
Dhe në foton që ka publikuar në “Twitter” mbrojtësi Ignazio Abate duket një president i qeshur, që feston me dy gishtat lart. “Ky është Milani i vërtetë, por kemi mundësi edhe për më shumë”, ka qenë komenti i presidentit kuqezi, pas përfundimit të derbit.
Pas ndeshjes Berlusconi ka përgëzuar trajnerin Sinisa Mihajlovic për punën e bërë edhe pse ka qenë shpesh në qendër të kritikave. “E meriton të komplimentohet, sidomos pas fitores 3-0 në derbi. Por trajnerët jetojnë përmes rezultateve”, tha Berlusconi, që dukej i ekzaltuar pas fitores ndaj Interit.
“Më pëlqyen shumë Alex në mbrojtje dhe Bonaventura në sulm”, shtoi më tej presisdenti kuqezi. Për mediat ka folur edhe administrator i deleguar, Adriano Galliani, që konfirmoi faktin se presidenti e shijoi shumë këtë fitoren. “Skuadra është me trajnerin, ashnjë nuk ecën kundër rrymës. Këtë gjë e di edhe presidenti”, tha Galliani.