Pas Flamurtarit, që u dënua me -3 pikë nga institucioni më i lartë i futbollit botëror për mosshlyerje të detyrimeve financiare ndaj kroatit Toni Pezo, këtë herë e kanë pësuar dy klube të kategorisë së parë. Bëhet fjalë për Kastriotin dhe Dinamon, që ashtu si Flamurtari janë dënuar me heqjen e tre pikëve nga klasfikimi aktual.

Blutë kryeqytetas e kanë marrë këtë penalizim nga FIFA për faktin se nuk kanë shlyer detyrimet financiare ndaj futbollist argjentinas Lucas Malacarne. 27-vjecari amerikano-jugor, i cili ka një të shkuar në Kategorinë Superiore, te Kastrioti e Kukësi, fitoi gjyqin që hapi në FIFA ndaj Dinamos, dhe diçka të tillë e kanë pranuar edhe vetë drejtuesit e klubit kryeqytetas.

Mosshlyerja e detyrimeve financiare ndaj një tjetër futbollisti të huaj është bërë shkak edhe për dënimin e Kastriotit. Krutanët janë ndëshkuar nga FIFA për faktin se nuk ka shlyer në kohë detyrimet ndaj rumunit Dragoi. Në Krujë pretendojnë se diçka e tillë nuk është e vërtetë, por nëse i hedhim një sy klasifikimit të fundit të azhornuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, që në këtë rast është ajo që ekzekuton vendimin e ardhur nga FIFA, shikon që Kastrioti pozicionohet në vendin e tretë në kuotën 27 pikëve, tre më pak sesa ka grumbulluar në fushën e blertë. Një dënim i rëndë ky për objektivat sezonalë të Kastriotit, që tashmë parakalohet në renditjen e Grupit A të kategorisë së parë nga Besëlidhja dhe Korabi. Në krahun tjetër Dinamo me heqjen e tre pikëve nga FIFA i afrohet gjithnjë e më shumë zonës së ftohtë të renditjes në Grupin B, teksa pozicionohet në vendin e gjashtë, në kuotën e 13 pikëve. Për Dinamon kjo nuk është hera e parë që dënohet me heqje pikësh nga FIFA, pasi blutë kryeqytetas e kanë provuar diçka të tillë edhe në vitin 2010.