Në prezantimin e uniformave të reja të kombëtares kuqezi, iu zbulua vetëm “koka”. Se në mars, në datat e lira të FIFA-s, do të luhet një ndeshje miqësore ndaj një finalisti të “Euro 2016”. Por, emri i kundërshtarit nuk u tha. U aludua për Turqinë dhe Kroacinë, por nuk ishin ato. Ishin detajet e fundit për vendin ku do të zhvillohej ky ballafaqim, sepse fiksimi i ndeshjes dhe kundërshtarit ishte punë e kryer. Bëhet fjalë për një miqësore me Austrinë, e cila do të luhet më 26 mars në Vjenë.

Kombëtarja e Austrisë para një kualifikueseje në grup për “Euro 2016”

Dueli i fundit mes këtyre dy kombëtareve daton në vitin 1987, Shqipëri-Austri 0-1. Austria është kualifikuar për në finalet e “Euro 2016” dhe ndodhet në Grupin F bashkë me Hungarinë, Islandën dhe Portugalinë. Kujtojmë se para shortit të 10 dhjetorit në Paris, Austria e kërkonte “me qiri” si kundërshtare Shqipërinë, duke e konsideruar si finalistin më të dobët në Europianin e Francës. Shqipëria u kualifikua për të parën herë në një Kampionat Europian. Më konkretisht, tabloidi austriak, “krone.at”, kishte nisur të bënte llogaritë e veta dhe të lutej për kundërshtarë sa më të lehtë në grupe. Kjo media austriake, nën titullin “Belgjika, Suedia dhe Shqipëria, kundërshtarët që duam në Europian”, “lundronte” në shanset optimale që mund të nxirrnin goglat e shortit për ta.

“Austria do të mësojë të shtunën, në Paris, kundërshtarët dhe grupin ku do të bëjë pjesë në fazën finale të Europianit. Lutemi të na bjerë Shqipëria dhe atëherë të gjithë sytë e kuqebardhëve do të fillojnë të shkëlqejnë, për shkak se kurrë më parë në histori, ne nuk kemi lënë asnjë pikë kundër shqiptarëve. Gjashtë ndeshje, gjashtë fitore, është rekord i përsosur…”

Dy fjalë më shumë për Shqipërinë në “Euro 2016”: Shqipëria fluturon nga gëzimi. Për herë të parë në historinë e vet, ashtu si Islanda, Irlanda e Veriut dhe Uellsi, do të debutojë në finalet e “Euro 2016”, në Francë. Kombëtarja e drejtuar nga trajneri Xhani De Biazi nuk llogaritej favorite për t’u kualifikuar në grupin e vet, por në fund dërguan në “play-off” ish-kampionen e Europës, Danimarkën, që dështoi edhe aty. Për kombëtaren shqiptare, marrja pjesë në Kampionatin Europian të Francës është ngjarja e parë, më e madhe.