Ajo ka entuziazmuar të gjithë shqiptarët me medaljet dhe rekordet e saj. Për të harruar një histori të dhimbshme dopingu që i preu në mes ëndrrën sportive, tashmë është kthyer ne shërbim të qytetarit në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Bëhet fjalë për Fetije Kasajn, ajo që theu tabunë e femrës peshëngritëse në Shqipëri. Gara e parë e saj nën flamurin shqiptar ishte në vitin 2004, ku ajo pavarësisht moshës së vogël arriti të futej mes 10 më të mirave të Europës. Titulli nënkampione Europe dhe Bote bëri që ajo të shndërrohej në idhull për shumë femra të tjera, të cilat filluan të ndiqnin hapat saj. Por lavdia dhe suksesi i saj u ndërpre si me thikë në vitin 2007, kur ajo rezultoi pozitiv në testin antidoping.
“Rezultova me substancë stanozolol. U tmerrova sepse nuk e prisja një gjë të tillë. Uroj që asnjë sportist të mos e kalojë një gjë të tillë. Ishte një nga momentet më të këqija të jetës sime”, shprehet Fetija. “Normalisht që më ka ngel peng që nuk vajta në aktivitet olimpik, por pati edhe një anë të mirë. Gjatë asaj kohe unë krijova edhe familje dhe u shkëputa”.
Duke qenë se gjatë gjithë kohës ishte mësuar të ishte në vëmendjen e njerëzve, Fetija vendosi të qëndronte sërish mes tyre. “Unë kam gati një vit e gjysmë që jam larguar nga sporti, pasi kam filluar një detyrë të re. Jam e lumtur që jam këtu, pasi jam pranë njerëzve dhe i ndihmoi me sa kam mundësinë. Sporti të do të përkushtuar në të gjithë kohën, ndërsa këtu jam në fazën e “shtëpiakes”.