Gardiani i skuadrës durrsake që ka treguar një formë të shkëlqyer, Shpëtim Moçka, është lënë pushim dy ditë nga trajneri, pasi po kalon një gjendje gripale. Vlonjati nuk rrezikon ndeshjen me Flamurtarin dhe pritet të jetë në dispozicion të Maganit për sfidën me ekipin vlonjat. Për shtatlartin e durrsakëve, skuadra e mbylli mirë vitin 2015, si dhe e nisi mbarë 2016-n me fitoren kundër Kukësit. Por kjo rrugë duhet vazhduar dhe ekipi duhet të ketë këtë ecuri pozitive. Gjithashtu ai premton se do të bëjnë më të mirën në ndeshjen kundër ish-ekipit të tij. Ndërkohë që pjesa tjetër e ekipit po vijon me përgatitjet për sfidën e radhës.
“Ndaj Flamurtarit do të jetë një ndeshje e vështirë, por jo e pakalueshme. I kemi mundësitë tona që të paraqitemi mirë dhe të marrim rezultat pozitiv. Edhe pse Flamurtari ka bërë shumë ndërhyrje dhe ndoshta lojtarët nuk janë ambientuar siç duhet, përsëri ne duhet të kemi kujdes e të mos shpërqendrohemi dhe as nuk duhet ta marrim lehtë këtë takim. Fatmirësisht skuadra është në gjendje të mirë dhe kemi bërë një mbyllje të bukur të vitit kalendarik 2015. Gjithashtu e nisëm me këmbën e mbarë 2016-ën, me fitoren 1-0 kundër Kukësit në Kupën e Shqipërisë”, u shpreh fillimisht portieri. Më tej, Moçka ka nënvizuar edhe pikat e forta të skuadrës durrsake. “Kemi një skuadër që bazohet te grupi dhe nuk ka problem mes lojtarëve. Gjëra që janë shumë pozitive dhe ndikojnë mjaft në ekuilibrat e një ekipi”, ka vijuar Moçka. Më tej, numri një i portës së durrsakëve ka vlerësuar edhe dorën e trajnerit peqinas për ecurinë e mirë të Teutës.
“Pa dyshim që shihet dhe dora e profesor Maganit, si dhe stafit të tij. Teuta nuk është rastësisht këtu, por falë punës dhe angazhimit të të gjithë hallkave nga lojtarët e deri te drejtuesit. Duhet vetëm të kemi këto ritme e të mos kalojmë në eufori, pasi do të na dëmtonte tej mase shumë. Këtë gjë e kemi eliminuar falë trajnerit që e mban ekipin të ngarkuar, por edhe nuk toleron. Ndërsa grupi ka treguar që është konstant dhe s’kemi pse të mos tentojmë rezultatin maksimal kundër ekipit të Flamurtarit. Unë personalisht po kaloj një gjendje gripale dhe jam lënë dy ditë pushim pas rekomandimit të mjekut, por nuk kam problem serioz dhe pa dyshim që do të jem i gatshëm për ndeshjen kundër vlonjatëve”, ka mbyllur gardiani i Teutës.