Teuta ka lënë pas krahëve fitoren 1-0 kundër Kukësit dhe tashmë po mendon për të marrë një tjetër rezultat pozitiv, këtë herë në Vlorë ndaj Flamurtarit. Starti i fazës së tretë nis me një transfertë delikate për durrsakët, por të besuarit e Gugash Maganit shkojnë me një moral të lartë.

Mbrojtësi titullar Bleri Kotobelli, beson se Teuta nuk do të gabojë në Vlorë. “I jemi rikthyer stërvitjes pas asaj fitoreje në Kupë, por tani na pret një takim edhe më i vështirë për kampionat. Gjithsesi, ne po përgatitemi për të marrë një tjetër rezultat pozitiv. Duhet të jemi më të kujdesshëm në fazën mbrojtëse, por gjithashtu të saktë para portës. Në Vlorë duhet të shfrytëzojmë në maksimum mundësitë që do të na jepen. Trajneri po mban të karikuar ekipin, duke mos lënë vend për eufori. Jemi të ndërgjegjshëm për situatën dhe nuk duhet të ketë aspak eufori, pasi nuk kemi bërë asgjë. Detyra jonë është të paraqitemi mirë dhe të marrim rezultate pozitive.

Sa i përket ndeshjes së Kupës, zhvilluam një lojë të bukur, edhe pse duhet të kishim shfrytëzuar më shumë mundësitë para portës. Tani na mbetet ndeshja e kthimit në Kukës, për të parë se kush do të kualifikohet. Gjithsesi, më parë duhet të mos dalim pa pikë nga transferta me Flamurtarin”, ka thënë Kotobelli.