Buzëqeshja vjen në fund dhe shërben për të ulur tensionin. “Sarri mbajti shallin që i kisha dhënë unë dhe e vlerësoj respektin, por unë nuk kam asgjë nga Sarri. Nëse do të më japë borxh Higuain, unë jam në rregull”, tha me shaka trajneri i Interit, pas barazimit 1-1 ndaj Carpi-t, që frenon ambiciet e zikaltërve.
Pjesa tjetër e konferencës për shtyp ishte me fytyrën e zymtë dhe tone kritike për lojtarët e tij. Trajneri Roberto Mancini, ia vë fajin përgjumjes në minutën e 92-të, por mbi të gjitha mungesës së saktësisë para portës kundërshtare. “Unë, në moshën 50-vjeçare, do të kisha bërë gol po të kisha qenë sulmuesi i Interit në ndeshjen e sotme. Nëse të vjen ai top, duhet të shënosh”, shpjegoi trajneri në lidhje me rastet që patën Palacio dhe Icardi kur ndeshja ishte 1-0 për Inter.
“Më vjen shumë keq, sepse është ndeshja e tretë që falim, siç ka ndodhura ndaj Lazio-s dhe Sassuolo-s”, shtoi ai. “Ne kemi problemin që nuk arrijmë të shënojmë më shumë se një gol. Futbolli ky është, një aksion me kundërsulm në minutën e 90-të dhe kur gjërat duhet të shkojnë keq, atëherë të shkon keq. Na zuri gjumi. Duhet të përmirësojë fazën sulmuese, sulmuesit duhet të punojnë sepse nuk mjafton të presin tipin. Kjo ka ndodhur që në fillim të sezonit. Me rezultatin 1-0 është e hapur. Inzaghi ishte një mit kur shkonte të mbronte topin te flamuri i këndit në minutën e fundit.”