Nuk ka vonuar reagimi i “fan club”-eve shqiptare të Interit për parullën e shpalosur në “San Siro”, gjatë barazimit me Caprin, ku shkruhej “Kosovo is Serbia”. Grupimi i mbështetësve zikaltër nga Shqipëria, të quajtur “Inter Club Albania”, mjaft aktiv në aktivitetin e tij, e dënon këtë rast dhe kërkon që injoranca të tilla mos të ekzagjerohen.

Ja deklarata zyrtare:

“Duke parë se disa individë, në komente po e bëjnë të madhe dhe po i bëjnë bujë një banderole injorance, që është hapur në “Meazza”, ku është shkruar “Kosovo is Serbia” nga disa tifozë, është shumë i nevojshëm një sqarim për të gjithë, duke parë se keqinformimi në Shqipëri është në nivele shumë të larta dhe shqetësuese.

E para; sa më shumë t’i bëni “share” asaj fotoje të banderolës së injorancës (do e quanim ne), aq më shumë i ndihmoni bastardët që kanë bërë atë pankartë, që të arrijnë qëllimin e tyre. “Kosovo is Kosovo” dhe e gjithë bota e di. Kush mendon se Kosova është Serbi apo diçka tjetër i përket një mendësie të kaluar, i përket një universi paralel, sepse Kosova është një shtet i pavarur dhe një realitet.

E dyta; në “Meazza” mund të fusësh çfarë të dëshirosh me përmasat e asaj banderole: një flamur të Zimbabve, një flamur të Kosovës, një flamur të Shqipërisë, një banderolë ku thua se Serbia është kështu e ashtu, apo një banderolë injorance, si kjo që kemi cekur më lart. Mjafton ta kesh në çantë dhe të jetë prej cope. Por, në “Meazza” nuk mund të fusësh kurrsesi një banderolë gjigante 10 metra të gjatë, ku të shkruaje ato fjalë, sepse është raciste dhe klubi s’do ta lejonte kurrë. Por, në “Meazza” mund të fusësh një flamur shqiptar 10 metra të gjatë, sepse nuk është racizëm dhe Interi na e ka lejuar ne këtë gjë. Ne nuk e futëm fshehurazi në prill të vitit 2012 flamurin, por me leje të veçantë. Ata e kanë futur duke e fshehur poshtë pantallonave, pse jo.

E treta: është injorancë të quash një klub racist, sepse disa tifozë hapin një banderolë të caktuar. Është injorancë dhe e pastër madje.

E katërta, Interi ka miliona tifozë në botë e të përgjithësosh është shumë e gabuar, shumë.

E pesta; banderola të tilla raciste, të kësaj natyre, duhen dënuar dhe nuk duhen të reklamohen, qoftë edhe për keq, sepse reklama e keqe nuk ekziston! Të quash raciste një skuadër se dy tifozë shprehin hapur injorancën e tyre është për të vënë duart në kokë. Interi, që në vitin 1999 hapi “Inter Campusin” e parë për refugjatët kosovarë. Interi, që me “Inter Campus” ka ndihmuar fëmijë, edhe nga vendet që dikush s’i ka dëgjuar kurrë në jetën e tij. Interin, që pikërisht luftën kundër racizmit e ka në ADN. Interin, vëllezërit e botës.”