Jemi mësuar të shohim tifozët serbë, që nëpër ndeshje të ndryshme ta nxjerrin dufin, në mënyrën e tyre, ndaj shqiptarëve. Parulla “Kosovo is Serbia” është shpalosur nëpër stadiume edhe nga tifozë rusë, apo të ndonjë vendi mik të Serbisë, por që këtë ta bënin mbështetësit e Interit të Milanos, nuk e kishte besuar njeri.
Ka ndodhur në ndeshjen e radhës në Seria A, Inter-Carpi 1-1. Duke qenë se punët i kanë në “terezi” me skuadrën zikaltër, tashmë në “rënie të lirë”, tifozët e Interit po merren me Kosovën, e kujt është ajo, kujt i përket. Për të qeshur e për të qarë, kur sheh se Interi nuk shkon më larg se barazimi 1-1 në “San Siro”, me Carpin, në kuadër të javës së 21-të të Seria A dhe tifozët zikaltër shqetësohen për Kosovën e shqiptarët. Kjo ishte ndeshja e tretë radhazi që të besuarit e Roberto Mançinit nuk marrin dot fitore.
“Kosovo is Serbia”, apo në shqip, “Kosova është Serbi”, shkruhej në transparentin e hapur nga tifozët e Interit. Ky provokim ka ngjallur reagimin e shumë shqiptarëve në rrjetet sociale, të cilët janë tifozë me këtë skuadër dhe ndoshta e vuajnë më shumë se ata italianë ecurinë jo të mirë të kësaj skuadre. Mediat italiane e kanë kritikuar këtë rast, por mendojnë se një grup tifozësh, të ardhur nga Serbia, e kanë shpalosur atë slogan, i cili ka ngjallur debate të mëdha mes tifozëve ballkanas. Klubi nga Milano njihet si skuadër me shumë lojtarë nga Ballkani, ndërsa aktualisht në ekip ka një serb dhe një shqiptar, respektivisht sulmuesit Adem Ljaiç dhe Rey Manaj.