Pak ditë pasi Kuvendi e rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës, që e kthente për rishqyrtim ligjin e ri të kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve, presidenti Bujar Nishani ka vendosur ta çojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Kreu i shtetit ka përdorur si argument për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese të njëjtin arsyetim që përdori edhe kur rrëzoi ligjin e miratuar nga shumica parlamentare.
"Ligji, në tërësinë e tij, cënon parimet bazë kushtetuese të sigurisë juridike, barazisë para ligjit, zhbën konceptin e ekonomisë së tregut si dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin e vendosur nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut," – thekson Presidenti i Republikës.





