Nga e hëna e javës që vjen, Kosova ka vendosur që të hapë të gjitha shkollat në vend.

Ministrja e Arsimit në Kosove, Arbërie Nagavaci ka njoftuar se nga e hëna në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitatr mësimi do të zhvillohet në shkolla, pa kufizime sa i përket pjesëmarrjes fizike të nxënësve.

Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, Nagavaci, thekson se ky vendim është marrë pas rekomandimeve të IKSHPK-së.

POSTIMI I PLOTË

Nga e hëna, me 19 prill, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar mësimi do të vazhdojë pa kufizime për pjesëmarrje fizike të nxënësve në shkolla.

Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, IKSHPK-në e Ministrinë e Shëndetësisë kemi marrë vendim që nxënësit të rikthehen në objekte shkollore.

Komunat dhe shkollat do të vendosin të punojnë sipas njërit nga skenarët A, B ose C, varësisht prej situatës me pandeminë.

Komunat kanë njoftuar se janë të gatshme të vazhdojnë procesin mësimor sipas këtij vendimi, ndërsa gjatë fundjavës do të vazhdohet me dezinfektimin e objekteve shkollore dhe do të jenë gati për vazhdimin e mësimit me pjesëmarrje fizike të nxënësve.

Ftoj nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe të gjithë akterët e përfshirë në procesin mësimor, që të respektojnë me përpikëri masat kundër pandemisë.

Shëndet e suksese!