Në ditën e dytë dhe të fundit në Tiranë, ekspertët e Komisionit të Venecias i janë rikthyer takimit me ekspertët e nivelit të lartë që kanë hartuar draftin e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi. Takimi disa orësh me ekspertët është i dyti, pas atij të një dite më parë, dhe bëhet pasi të dërguarit e Komisionit të Venecias kanë konsumuar takimet me opozitën dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Gent Ibrahimi, një nga anëtarët e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë, pohoi pas takimit me të dërguarit e Komisionit të Venecias se drafti për aspektet teknike është legjitimuar nga ana e tyre, por duhet të priten deklarimet zyrtare.

“Për çështje teknike, draftin që kemi ne legjitimohet, – tha Ibrahimi. – Por, çështjet kanë edhe nuanca politike, nuk mund t’i mohosh dimensionet politike kësaj reforme dhe këtu edhe raportuesit e Komisionit të Venecias janë në hall.”