Në vijim të takimeve elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, kandidati për deputet Lefter Koka ka bashkëbiseduar me banorë të lagjes 4 në Durrës.

Gjatë fjalës së tij Koka tha se Partia Socialiste ka në fokus zhvillimin e vendit dhe ringritjen ekonomike nëpërmjet projekteve konkrete dhe jo premtimeve boshe. 

“Rruga drejt së cilës duam të shkojmë është akoma më e ndritur. Ekonomia, si pjesa më e rëndësishme për çdo familje dhe nëpërmjet investimeve që parashikohen të kryhen në katër vitet e ardhshme, por edhe më tej, kanë me të vërtetë shifra që do t’i kishte zili çdo vend i rajonit. Të gjitha këto investime në vetvete, do të bëjnë ndryshimin ekonomik të vendit, sepse ekonomia e një vendi, nuk ndryshon thjesht dhe vetëm me fjalë; ndryshon me disa programe, me plane veprimi të mirëmenduara. Unë besoj që Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama, kanë pikërisht vizionin, dëshirën, vullnetin për ta çuar përpara këtë zhvillim.”, pohoi Koka.

Ndërsa u ndal te procesi i rindërtimit të Durrësit, deputeti Koka tha se reagimi i menjëhershëm i qeverisë pas tërmetit të 25 nëntorit 2019, ka bërë që sot procesi i rimëkëmbjes të ndihet dhe të jetë prezent në çdo zonë të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. 

“Durrësi kaloi një situatë të tmerrshme pas tërmetit, që çdo njëri nga ne ndjeu se sa të pafuqishëm jemi para natyrës. Solidariteti i treguar si qytetarë, por edhe ai i qeverisë qendrore, fillimisht me strehimin, akomodimin e qytetarëve dhe tashmë jemi në fazën e rindërtimit, ku ky proces po ecën me ritme të shpejta për rikthimin drejt normalitetit për qytetarët”, u shpreh deputeti Lefter Koka.