Ilir Meta ka shprehur sot një qëndrim disi më të ndryshëm nga ai i Edi Ramës, sa i përket nevojës për të bashkëpunuar me opozitën për reformën e sistemit të drejtësisë. Gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Meta tha se “Lëvizja Socialiste për Integrim mbetet e bindur se konsensusi politik në parlament për amendamentet kushtetuese është i domosdoshëm, jo thjesht si çështje numrash, por si një bashkim vullneti politik të forcave parlamentare.”

“Është detyra jonë, si LSI dhe si mazhorancë, të krijojmë të gjithë hapësirën e nevojshme për opozitën, ashtu sikurse, e theksoj, siç kam bërë edhe më parë, se është një detyrim i pashmangshëm i opozitës të kontribuojë në këtë dialog me profesionalizëm dhe jo me populizëm.” – tha kryetari i LSI.

Ndonëse ai nuk e tha hapur, Meta pati kritika për veprimet e Ramës. “Logjika e faktit të kryer për çeshtje shumë të mëdha që shqetësojnë qytetarët është e papranueshme dhe vetëm qëndrimi parimor do të na udhëheqë në të gjithë vendimmarrjen tonë politike, – theksoi Meta. – Vendi është përballur edhe më parë me vendime të nxituara dhe jotransparente, që kanë prodhuar efekte negative në afatgjatë… Prandaj, është veçanërisht e rëndësishme që ky proçes të mos jetë përjashtues apo përçarës, por të jetë gjithëpërfshirës, shterues dhe të marrë në konsideratë punën e rëndësishme të deritanishme, rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe dialogun konstruktiv të palëve kontribuuese… Politika e faktit të kryer ngushton mundësinë për dialog, konsensus dhe mirëbesim, provokon ndarje dhe shpikje fajtorësh.”