Lajmet e redaksisë së “Top Channel”-it rreth qëndrimit të opozitës për reformën në drejtësi, Partia Demokratike i konsideron dezinformuese. 

Në një reagim për shtyp mbrëmjen e djeshme, PD-ja akuzoi televizionin “Top Channel” se me anë të lajmeve të saj mashtron popullin, duke çuar në vend porositë e Edi Ramës.

“Në mënyrë të përsëritur redaksia e lajmeve të Top Channel, duke dëshmuar servilizëm të verbër në shërbim të Edi Ramës dezinformon rreth qëndrimit të opozitës për reformën në drejtësi. Sot kjo redaksi ka shpërndarë një mashtrim të gatuar në zyrat e propagandës qeveritare lidhur me mospjesëmarrjen e opozitës në komisionin parlamentar të reformës në drejtësi.

Asnjë shërbim i porositur nga Edi Rama nuk mund të zbehë apo dezinformojë mbi vendosmërinë e opozitës për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe as për vullnetin e saj për të mos lejuar kapjen politike të drejtësisë nga Edi Rama dhe qeverisja e tij e korruptuar dhe kriminale”, thuhet në reagimin e PD-së.