Partia Demokratike, përmes nënkryetarit të saj Edmond Spaho, i ka bërë thirrje qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama që të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre dhe të marrin masa për situatën ku po kalon vendi. “Situata e përmbytjeve po përkeqësohet me shpejtësi në të gjithë vendin… Rendi dhe siguria janë në rënie me shpejtësi të rrufeshme në këtë fillim viti… Një gjendje e rëndë ankthi dhe pasigurie ka kapluar të madh e të vogël,” – ka deklaruar Spaho.

Ndërkohë, sipas tij, “të vetmit që nuk i bëhet vonë … është kryeministri.” “Kjo qeveri dhe ky kryeministër e kanë dëshmuar prej kohësh që i vetmi interes i tyre është të vjedhin dhe jo të qeverisin, është të bëjnë pazar me pasuritë publike të vendit e jo të investojnë për përmirësimin e jetës së qytetareve dhe të infrastrukturës që do ta bënte gjithnjë e më të vështirë përmbytjen masive në kohë reshjesh,” – ka vijuar më tej nënkryetari i Partisë Demokratike.

Në fund, Spaho i ka drejtuar një thirrje qeverisë dhe kryeministrit Rama. “Në emër të opozitës, i bëj thirrje kryeministrit ‘de jure’ Edi Rama të ndërpresë urgjentisht pushimet luksoze në Majemi dhe të kthehet në Shqipëri për të ushtruar përgjegjësitë që ka aktualisht si kryeministër,” – ka theksuar nënkryetari i Partisë Demokratike.