Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka vënë në dukje mungesën e masave për të përballuar dëmet dhe vështirësitë që reshjet dhe përmbytjet kanë sjellë në disa zona të vendit. Sipas kreut të opozitës, “në Çermë, ku Shkumbini ka çarë argjinaturën dhe mbi 150 familje janë përmbytur tre orët e fundit, dhjetra metra kub ujë për sekondë vërshojnë përmes çarjes, duke zgjeruar njollën e përmbytjes.”
Njëkohësisht, kreu i opozitës ka sjellë në vëmendje edhe gjendjen e krijuar në rrethinat e Durrësit. “Në Sukth, ku Erzeni ka dalë nga shtrati, duke përmbytur mbi 1 200 familje, – ka komentuar Basha, – niveli i ujit në shumë raste mbi 1,5 metër.”
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, në postimin e tij në Facebook, ka denoncuar edhe autoritetet shtetërore. “Asnjë masë deri tani… Gjendja vazhdon të përkeqësohet,” – thekson Basha në fund të postimit të tij.