Partia Demokratike ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama se po pushon ende në Majemi, ndërkohë që vendi ynë po përmbytet nga reshjet.

Në një dalje për mediet nga selia blu, sekretari i përgjithshëm i PD-së Arben Ristani tha se Rama po ngrohet në plazhet ultra-luksoze të Majamit, dhe as që i bëhet vonë pas mbylljes së një viti të dështuar, ku papunësia u rrit, kriza ekonomike u thellua, varfëria u shtua, rendi dhe siguria u përkeqësuan nga keqqeverisja.

“Ai vazhdon të rendë pas pasioneve të tij të cilat po i paguajnë qytetarët shqiptarë. Pas ekspozitave të pikturës nga njëri kontinent në tjetrin, Edi Rama ka nisur të frekuentojë ndeshje basketbolli në kampionatin më të shtrenjtë të botës, të NBA-së në SHBA.

12 persona kanë humbur jetën në vetëm 4 ditët e para të këtij viti, ndërsa kryeministri vazhdon të shijojë pushimet e tij luksoze në Majami.

100 mijë shqiptarë enden nëpër kampet e azilkërkuesve nëpër Europë sepse iu është hequr çdo mundësi të mbajnë familjet e tyre, ndërsa kryepërgjegjësi për këtë gjendje shijon ndeshjet e NBA-së.

Qindra familje shqiptare janë pa energji dhe nëpër burgje se nuk paguajnë dot çmimin e rritur të energjisë, ndërsa Edi Rama e ka mendjen vetëm tek qejfi dhe rehatia e tij.

25 mijë familje vetëm në 3 muaj janë hequr nga skema e ndihmës ekonomike,  e vetmja mundësi për të mbajtur familjet më bukë, por Edi Rama harxhon miliona lekë për të parë një ndeshje basketbolli”, deklaroi Ristani.

“Ky është Edi Rama, kryeministri më i pacipë që ka pasur ndonjëherë ky vend. Ky është shteti i Edi Ramës, një popull në mjerim dhe një kryeministër që jeton si sheik”, përfundoi deklaratën e tij deputeti demokrat.