Policia e shtetit nuk ka faj apo përgjegjësi nëse në vendin tonë kryhen vrasje për motive banale, për grua apo për një plep, siç ishin ngjarjet e rënda të 3 ditëve të fundit, kur dy vëllezër u vranë në Shkodër për shkak të refuzimit të një kërkese për martesë apo prej prerjes së një plepi siç ndodhi në Luz të Madh të Kavajës.

Kështu ka deklaruar ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjatë një konference për shtyp që mbajti ditën e sotme përballë gazetarëve.   

“Nuk shoh që ka përgjegjësi policia kur një person vret se nuk gjen grua. Nuk shoh që ka përgjegjësi policia kur një person vret bashkëfshatarin për prerjen e një peme. Të tilla ngjarje nuk parandalohen dot në asnjë vend të botës. Ajo që duhet të shikoni është një vit i tërë 2015, dhe është viti më i suksesshëm i Policisë së Shtetit në 25 vitet e fundit”, tha Tahiri.

Ministri deklaroi se të tilla ngjarje parandalohen duke e trajtuar problemin që në fillesat e veta dhe bëri të ditur se këtë vit çdo efektiv policie që trajton një ngjarje kriminale, do të adresojë problemin edhe tek institucionet përkatëse sipas origjinës së konfliktit të personave.