Kryetari i Partisë Ligj e Drejtësi, Spartak Ngjela, bën apel për të luftuar të korruptuarit me mbështetjen e vullnetit politik amerikan dhe i kwrkon ambasdarorit te SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, qe ai te beje ditur emrat e të korruptuarve.

Ngjela nëpërmjet një postimi në faqen e tij Facebook e titullon ate “Pa identifikimin e korrupsionit, gjithçka mbetet abstraksion”, duke vijuar me një koncept filozofik ku thekson se “Leibniz-i eshte shprehur “liria nuk mund të ekzistojë pa mundësinë për të abuzuar. E keqia hyri në botë përmes abuzimit njerëzor për lirinë e tij vetjake. Asgjë tjetër nuk është e keqe, vetëm kjo”.

“Ja, kjo është thëmbra e Akilit ,që po e qerthullon sot të gjithë të keqen shqiptare: abuzimi me pushtetin i të gjithë atyre që kanë menduar se me pasurimin e tyre të padrejtë, do të fitonin lirinë e tyre të pakufizuar. Nën këtë pikëvështrimi, gjendja e shqiptarëve sot varet në një fill peri, i cili, po të këputet, ne si shoqëri, mund të fundosemi me të gjitha të drejtat që kemi fituar dhe ato që po pretendojmë t’i fitojmë. Gjithçka është e përqëndruar te krimi dhe korrupsioni; por gjithçka bie në vesh të shurdhët, te ata që kanë në dorë pushtetin dhe në shpinë abuzimin me popullin e tyre”, shkruan Ngjela.

Ngjela duke iu referuar qëndrimit të ambasadorit Lu për luftën kundër korrupsionit, shprehet se “Edhe pse kjo gjendje është e denoncuar ndërkombetarisht; veshët e abuzimit që kanë pushtetin bëjne sikur dëgjojnë edhe bëjnë sikur veprojë. Por ajo që na jep akoma shpresë është “vullneti politik amerikan”, që vjen e shfaqet në Shqipëri nëpërmjet ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu. Ai i ka thënë të gjitha; dhe shqiptarët i kanë dëgjuar nga goja e tij shqip. Por, siç duket, kjo nuk mjafton”.

“Zoti Ambasador! … filozofia analitike na ka mësuar se nuk mund të ketë ekzistencë dhe as entitet, pa identitet. (No existence and entity without identity) Domethënë, për faktin që ju, dhe njëhërësh plitika amerikanë, është e informuar për korrupsionin në Shqipëri; tani ka ardhur koha për identifikimin e tij më anë emrash të subjekteve të pushtetshëm dhe të korruptuar. Shqiptarët presin emrat që të shpallen nga ju, zoti ambasador. Kjo është gjendja shqiptare: duhet identifikuar korrupsioni, ngaqë ju po e shihni se situata po bëhet qesharake, sepse “të parët” në këtë luftë antikorrupsion, janë vetë pushtetarët apo ish- pushtetarët e korruptuar. Varfëria shqiptare është “vepër” e korrupsionit abuziv të pushtetarëve shqiptarë, në 20 vitet e fundit. Koha ka ardhur që vetë shqiptarët ta marrin në dorë këtë situatë: ata duan emrat, që të kenë targetin e luftës së tyre racionale; sepse, pa emra, gjithçka do mbetet gjithmonë një abstraksion, ashtu siç ka qënë deri më sot. Dhe syte e shpresës të shqiptarëve për këtë shpëtim nga një kurth i madh historik, janë drejtuar nga ju, zoti ambasador”, shkruan Ngjela.