Intervistoi Mila Ballhysa
La një pozicion komod në bashki, me të cilin kishte krijuar një emër mjaft të respektuar në Durrës, për t’u përfshirë në garën elektorale të 25 prillit me koalicionin “Aleanca për ndryshim”. Këto ditë për kandidatin Florian Tahiri janë plot intensitet takimesh, lëvizje nëpër lagje të ndryshme të qytetit dhe zona periferike, ndalesa derë më derë për të prezantuar platformën e tij elektorale. Për të është e para herë që përfshihet kaq drejtpërdrejt në fushatë dhe pavarësisht lodhjes, pritja mjaft e ngrohtë e qytetarëve i duket një ogur i mirë për fitoren e koalicionit që ai përfaqëson.
“Tek mbi 70% e popullsisë ndihet nevoja për ndryshim. Ndihet në mënyrë jashtëzakonisht shumë të madhe. Tek çdo takim, tek çdo bisedë, refreni që dëgjoj është: Ajo që është e rëndësishme sot për Durrësin dhe për Shqipërinë është që situata duhet të ndryshojë. Dhe ndryshimi bëhet duke ikur kryeministri në fuqi”,– thotë Tahiri.
Ai pranon se shoqëria jonë prej vitesh është në një krizë të thellë morale, me pjesën më të madhe të njerëzve të prirur nga materializmi. Akti i dorëheqjes së tij nga zv/kryetar i bashkisë erdhi edhe për shkak të kësaj. Njerëzit kanë nevojë të ndjekin kauzat e tyre, për të dhënë kontribut në ndërtimin e një shoqërie më të mirë.
“Unë lashë diçka materiale, për një kauzë. Lashë pozicionin e nënkryetarit të bashkisë për të përfaqësuar kauzën çame, për t’ju bashkuar flamurit të opozitës, për të bërë më të mirën e mundshme për qytetin tim në të ardhmen”,- thotë Tahiri.
Në deklaratat e kryeministrit Rama, Durrësi zë shpesh hapësirë të konsiderueshme, kjo dhe për faktin se kandidon në listën e këtij qarku. Premtimet për port turistik, port tregtar, hekurudhë moderne etj përsëriten shpesh prej tij. Por çfarë mendon për to kandidati Tahiri? Me ironi ai shprehet:
“Njerëzit besoj se janë shumë të kënaqur deri tani me projektet 3D. Besoj se projektet 3D janë deri tani gjëja më e bukur dhe më e realizueshme që ka bërë qeveria Rama deri më sot”.
Sipas Tahirit, secili prej nesh, përtej propagandës së partive duhet të hapë sytë dhe të shohë realitetin. Nëse gjërat që u janë premtuar 8 vite me radhë nuk janë bërë akoma, nuk kanë për t’u bërë as në 4 vitet e ardhshme.
“Nëse qeveria aktuale do të kishte pasur vullnetin për t’i bërë do t’i kishte bërë”,- thotë ai.
I vetëdijshëm se gjatë 5 vite punë si nënkryetar bashkie nuk ka bërë asgjë më shumë sesa thjesht detyrën e tij, për të cilën është paguar nga taksat e tatimpaguesve durrsakë, Tahiri thotë se nuk e sheh ndihmën që mund t’i ketë dhënë një qytetari që i ka trokitur në derë domosdoshmërisht të përkthyer në votë. Me qytetarinë që e karakterizon dhe integritetin moral, kandidati i PDIU deklaron se të gjithë ata që besojnë tek ai le të votojnë nr.9 (PD) dhe nr.10 (Florian Tahiri), ndërsa ata që kanë bindje të kundërta nuk kanë pse kushtëzohen nga ndihma që mund t’i ketë ofruar apo halli që i ka dhënë zgjidhje, sepse në fund të fundit ai ka bërë thjesht detyrën në kohën kur mbante postin në bashki.
Me origjinë çame nga babai dhe durrsak nga ana e nënës, Tahiri synon jo vetëm votat e komunitetit çam, por edhe më gjerë, ato të qytetarisë durrsake.
Kur rreth 10 ditë na ndajnë nga 25 prilli, zërat nga Aleanca për Ndryshim kanë nisur të shtohen në Durrës për tentativa për shitblerje votash. Këtë fakt e pranon edhe Tahiri, kur deklaron se ka indicie se individë të caktuar nga e majta po shkojnë në zona të ndryshme dhe ofrojnë para kundrejt premtimit për të mos dalë në votime.
“Në familje të caktuara që e dinë që nuk do t’i votojnë, kanë shkuar dhe kanë ofruar para për të mos marrë pjesë në votime. Duke mos pasur fuqi t’i komandojnë njerëzit për kë votojnë tek kutia e votimit, prandaj mënyra më e mirë është mos të shkojnë të votojnë. Në këmbim të kartës së identitetit apo pasaportës, ata i kanë ofruar para”,– thotë Tahiri.
Ai shpreson se organet e drejtësisë, prokuroria dhe SPAK të bëjnë detyrën e tyre sidomos këto ditë të fundit para datës së zgjedhjeve, sepse sipas tij janë intensifikuar këto aktivitete ilegale që kanë për qëllim deformimin e rezultatit final të zgjedhjeve.
Tahiri është i bindur se nëse zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme, opozita e bashkuar merr 8 deputetë në Durrës, ndërsa në rang vendi merr 80 deputetë.
Sipas tij, fitorja e opozitës nuk diskutohet, sepse nëse PS qëndron edhe për 4 vite të tjera në pushtet atyre 400 mijë shqiptarëve që tashmë janë larguar në emigracion do t’u shtohen edhe 400 mijë të tjerë që do të bëjnë gati valixhet për të ikur.





