Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka mbështetur reformat e rëndësishme të mazhorancës, siç është reforma territoriale, reforma për drejtësi dhe nisma që u ndërmor nga kjo forcë politike për dekriminalizimin dhe dekomunistizimin e politikës.

Kështu është shprehur kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi në takimin e zhvilluar me rastin e festave të fundvitit me aktivistë dhe anëtarë të partisë që ai drejton në qytetin e Durrësit.

Idrizi ka shtuar se forca politike që ai drejton është e qartë për mbështetjen e reformave të rëndësishme, duke shprehur qartë mendimin e saj për problematikat me të cilat po përballet shoqëria shqiptare.

Idrizi ka shtuar se tashmë partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet është konsoliduar si forcë e katërt politike, siç ishin dhe zgjedhjet e fundit lokale në vend, ndërkohë që ka edhe një grup parlamentar mjaft aktiv.

Në këtë kontekst, ai shtoi se PDIU synon të jetë pjesë e qeverisë Rama gjatë vitit të ardhshëm.

Në takimin e zhvilluar në Durrës kanë marrë pjesë deputetët e grupit parlamentar të PDIU, Mesila Doda, Aqif Rakipi, kryetari i qarkut të Durrësit të PDIU-së, Krenar Lasko, aktivistë të kësaj partie për qarkun e Durrësit, si dhe drejtues të pushtetit vendor.