Një lajm i mirë për të gjithë kamionistët shqiptarë. Konferencën e fundit për vitin 2015, shefi i qeverisë Edi Rama zgjodhi ta nisë me një kartolinë urimi për të gjithë kamionistët që bëjnë veprimtari transporti me Italinë, se atyre do t’u hiqet taksa prej 500 eurosh që detyrohen të paguajnë në Itali.
Rama tha se qeveria italiane e ka depozituar vendimin për heqjen e kësaj takse në Parlament.
“Dua ta nis me një kartolinë urimi për të gjithë kamionistët shqiptarë që bëjnë veprimtari transporti me Italinë, të cilët prej 25 vjetësh vuajnë mbi kurriz barrën e një taksimi krejtësisht të padrejtë që ka mbetur në raport me mallrat që shkojnë në Itali nga Shqipëria, qysh në mesin e shekullit të shkuar, një absurditet i plotë, ku Shqipëria ka mbetur nën këtë regjim taksimi së bashku me dy vendet e tjera të Lindjes së Mesme. Është bërë një përpjekje e vazhdueshme në këto vite, por asnjëherë nuk është arritur që kamionistët tanë të çlirohen nga kjo barrë.
Unë kam pasur sot një komunikim me kryeministrin italian, i cili ishte këtu fiks një vit më parë dhe kam marrë lajmin e gëzuar për kamionistët dhe të shumëpritur për të gjithë atë komunitet, se më në fund, qeveria italiane ka kaluar një vendim, i cili tanimë është depozituar në parlamentin italian, për heqjen e kësaj takse, një barrë 500 euro për çdo kamion që hyn dhe del në Itali nga Shqipëria. Pasi të kalojë dhe procedura parlamentare, ky hap kthehet në ligj. Ndërkohë, qeveria italiane, bashkë me vendimin, ka depozituar edhe mbulimin financiar të shumës që do t’i hiqet nga shpina kamionistëve, pra është një zotim i mbajtur nga ana e kryeministrit italian, të cilit në mënyrë të vazhdueshme ia kam kujtuar se nuk mund të kalojë edhe një vit tjetër pa finalizuar këtë zgjidhje”, deklaroi kryeministri Rama.