Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka dhënë një intervistë për “Ora News”, ku ka deklaruar se qeveria teknike është mëse e mundshme dhe mund të bëhet realitet.
Pyetjes se, nëse beson në zgjedhje të parakohshme apo është thjesht një retorikë politike, Basha u përgjigj se, edhe në rastin e dekriminalizimit kishte skepticizëm kur u lançua prej tij dhe PD-së. “Kur kam artikuluar kërkesën për qeveri teknike që t’i paraprijë zgjedhjeve të parakohshme sigurisht është një kërkesë e menduar mirë, e shoshitur, e rrahur në debatin e brendshëm të PD dhe nuk vjen si retorikë politike, por si zgjidhje për situatën në të cilën gjendet vendi sot”.
Sipas Bashës, “oferta jonë për një zgjidhje politike të krizës së rëndë politike, ekonomike, shoqërore dhe psikologjike që ka pllakosur Shqipërinë, krizës së besimit, krizës së shpresës është oferta e rikthimit tek qytetarët, me programe konkurruese, me ide dhe për t’u lënë qytetarëve edhe një herë të zgjedhin lirisht pa kërcënime, pa mashtrime, pa shit-blerje votash, pa dajak, e pa kërbaç ofertën më të mirë, atë që ata gjykojnë si ofertën më të mire”.