Kryeministri ka mbledhur gazetarët mbrëmjen e sotme në një pritje të organizuar në Pallatin e Brigadave në prag të mbylljes së vitit 2015. Në fjalën e tij, kreu i Qeverisë është ndalur tek raportet me gazetarët.
“Dikur kam qenë edhe unë si ju. Zoti na ruaj të isha dhe unë gazetar si ju, por shkruaja në faqet e shtypin, kundërshtar i qeverisë. Megjithëse jam prapë mes jush, nuk është si më parë, unë jam mes jush tani si kavia kryesore e punës tuaj”, tha Rama.
Më tej, kryeministri u ndal tek puna e medias përgjatë vitit 2015, duke u shprehur se “Mblodha disa detaje se çfarë kishit bërë me mua për një vit, si lëndë e parë e prodhimeve tuaja. Shumë mund është derdhur këtë vit për të më bërë copa e çika, e për të nxjerrë prej tyre përfundimet për qëllimet e mia të paekzistuara, deformimet, komplekset, frikërat, halat në syrin time, gjëmimet në veshët e mi”.